Nisma Thurrje

Amplifikim zëri! (video)

PETICION PËR NDRYSHIMIN E SISTEMIT ZGJEDHOR

30 vjet pas shembjes së komunizmit, gjithmonë e më shumë janë ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve ato që po shemben.

E nisëm rrugën drejt demokracisë me besimin se shumë shpejt Shqipëria do të ishte një vend i begatë e i zhvilluar, po aq sa të gjitha vendet përreth nesh. Ishim të sigurtë se pasuritë natyrore, nafta, mineralet, uji, deti etj, njohuritë teknike të akumuluara ndër vite, dhe vitaliteti i shoqërisë tonë do ishin të mjaftueshme për ta bërë vendin tonë të denjë në familjen evropiane.

Sot, të gjitha këto janë iluzione. Integrimi në Bashkimin Evropian duket ende larg, teksa Shqipëria mbetet ndër vendet më të prapambetura të kontinentit. Standardet tona të jetesës sot nuk kanë asgjë të përbashkët me mirëqenien evropiane që aq shumë dëshironim.

Arsyeja pse kjo ka ndodhur është e thjeshtë, Shqipëria nuk arriti kurrë të zhvillonte institucionet politike të nevojshme gjatë këtyre 30 viteve. Akoma më keq, ndryshimet kushtetuese të vitit 2008-ën shënuan një regres të thellë fillimisht në jetën politike, e më pas në standardet ekonomike të vendit tonë. Në një natë të vetme, drejtuesit e dy partive kryesore vendosën që sovranitetin t’ia hiqnin popullit dhe t’ia jepnin vetes.

Aktualisht populli shqiptar e ka të pamundur të ushtrojë sovranitetin qoftë direkt (përmes referendumit) e qoftë përmes përfaqësuesve të tij, të cilët, në sistemin aktual, përcaktohen nga kryetarët e partive.

Më shumë se kurrë, sot është i nevojshëm riparimi i atyre ndryshimeve famëkeqe. Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë duhet t’i përkasë popullit, e të ushtrohet prej tij në mënyrë direkte ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur tij.

Në thelb të këtyre ndryshimeve qëndron rishkrimi i sistemit zgjedhor, duke i garantuar qytetarëve shqiptarë të drejtën që të zgjidhen dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.Vetëm kështu, vetëm duke i rikthyer sovranitetin popullit, ne do të kemi garancitë se pushteti politik nuk do përdoret për të mbrojtur interesat e një grupi të ngushtë njerëzish, por të përfaqësuar dëshirat dhe nevojat e tërë shoqërisë.

Prandaj ne, populli shqiptar, të bindur për nevojën e një reformimi të thellë politik të shoqërisë sonë, duke synuar demokratizimin e vendit, hapjen e negociatave për integrimin në BE dhe daljen nga rrethi vicioz 30 vjeçar i tranzicionit, kërkojmë njëzëri:

● Ndryshimin e sistemit zgjedhor aktual, i cili pushtetin për të emëruar përfaqësuesit e popullit e lë në dorë të kryetarëve të partive.

● Hapjen e një debati publik, të pasuar nga një vendimmarrje në Parlament, për vendosjen e një sistemi të ri, ku pavarësisht formulës së përdorur, e drejta për të zgjedhur direkt përfaqësuesit i takon vetëm popullit.

● Shfuqizimin e ndryshimeve Kushtetuese të bëra, brenda një nate, në vitin 2008, dhe marrjen e hapave të nevojshëm për të balancuar raportin dhe kontrollin mes pushteteve politike në Shqipëri.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Scroll to Top