killed by Google website

Si Google vret fëmijët e vetë!

Ndjesë për titullin bombastik por bëhet fjalë për një faqe e cila liston gjithë aplikacionet dhe shërbimet që Google ka mbyllur apo “varrosur” përgjatë viteve.

https://killedbygoogle.com

Aktualisht, lista përmban 155 shërbime, aplikacione dhe hardware të ndryshëm që gjigandi i internetit ka lançuar, blerë apo krijuar për t’i ‘varrosur’ pas një periudhe nga disa muaj në disa vite.

Është një fenomen interesant dhe i frikshëm në të njëjtën kohë. Por duhet të kuptojmë se shumica e tyre në fakt ri-mishërohen në shërbime dhe produkte ekzistuese, pra nuk është se ‘shuhen’ tërësisht.

Ndër më të fundit listohen:

Google Fusion Tables – Një shërbim që të lejonte të menaxhoje të dhënat dhe t’i konvertoje në tabela, harta dhe grafikë të ndryshëm. Ky shërbim funksionoi për 10 vite por u varros rishtazi. Shumica e funksionalitetit të Fusion Tables është integruar sakaq në shërbimin tjetër Google Data Studio që është një shërbim edhe më i kompletuar dhe funksional edhe për përdorues më të thjeshtë.

Inbox by Gmail – ky aplikacion jetoi plot 4 vite dhe ofronte një seri tiparesh dhe funksionalitetesh që të ndihmonin me menaxhimin e email. Tashmë shumica e tyre janë bërë pjesë e funksionalitetit të vetë Gmail në brouser dhe aplikacionin përkatës.

Google+ – ky ishte edhe tentativa e radhës nga ana e Google për të krijuar dhe menaxhuar rrjetin e vetë social në konkurrencë me Facebook, LinkedIn, etj., por dukshëm dështoi dhe u mbyll këtë vit.

Ndër sfidat më të mëdhaja me të cilat përballet Google dhe gjigandët e tjerë teknologjikë janë ato që lidhen me privacinë dhe përdorimin (shpërdorimin) e të dhënave të individëve.

Tashmë nuk është më sekret që Google, Facebook e qindra kompani të tjera të mëdha në internet vetëm mbledhin dhe përpunojnë të dhënat tona për të na shitur produktet e shërbime sipas karakteristikave apo të dhënave tona demografike.

Ndërgjegjësimi publik për këtë çështje është jetik për çdo përdorues të internetit. Nëse shërbimi apo aplikacioni që ju përdorni është falas, atëherë ka shumë gjasa që produkti/shërbim që nxjerrë lekët jeni po ju dhe të dhënat tuaja!


P.S. Frymëzimi për këtë shkrim erdhi nga ky Tweet:

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *